l’Dea lindi nga kujtimet, ndjesitë dhe dashuria për mjeshtërinë e dorës, një trashëgimi që më është përcjellë që në fëmijëri. Në një dhomë ku përgatitej pajë, mes duarve që punonin në heshtje dhe qetësisë që mbushte ajrin, mësova për herë të parë se bukuria fshihet në çdo fije pambuku, në çdo ngjyrë të menduar me kujdes, dhe në çdo qëndisje të punuar me zemër.




l’Dea ofron koleksione artizanale të punuara me dorë, me përkushtim dhe kujdes ndaj çdo detaji. Përdorim materiale natyrale dhe ekologjike – nga pambuku e kashte, deri tek fijet e pastra dhe teksturat që përshtaten me sezonin apo dëshirat e klientit.

Çdo model që paraqitet tek I’Dea mund të vijë i përshtatur sipas kërkesave tuaja – nga ngjyrat dhe dimensionet, deri tek elementët dekorativë që e bëjnë të veçantë. Krijojmë me dëshirën që çdo porosi të jetë vërtet personale, një pasqyrim i shijes, stilit dhe ndjeshmërisë suaj.
Koleksionet tona përfshijnë çanta me dizajn të veçantë, kapele elegante, tablo dhe zbukurime murale, kuverta dhe elementë për dekor shtëpie, si edhe dhurata të personalizuara për raste të veçanta – gjithmonë me shpirt artizani dhe dashuri për punën e bërë me dorë. Teknikat tradicionale të qëndisjes si grep rus, metoda turke dhe Irish crochet, ndërthuren mjeshtërisht me linja bashkëkohore, duke krijuar një stil autentik që mbart historinë, por flet me gjuhën e sotme.
Nëse keni një ide unike që nuk është e paraqitur në koleksionet tona online, jeni të ftuar të na kontaktoni – ne do ta realizojmë me përkushtim, duke e kthyer vizionin tuaj në një vepër artizanale të punuar me dashuri.
